AAK-ja: Vendimi i qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit grevistë, skandaloz
Partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për mosekzekutimin e pagave për muajin shtator për mësimdhënësit grevistë.
“Vendimi i qeverisë për të penalizuar mësimdhënësit grevistë është të paktën skandaloz. Duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi, qeveria e mashtrimit, gënjeshtrës, injorancës dhe arrogancës, përpos sjelljeve të panatyrshme për një qeveri gjatë grevës, ajo ka vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo”, ka reaguar AAK-ja.
Kjo parti ka theksuar se shtypja e atyre që mendojnë ndryshe, është cilësi e regjimeve autokratike e diktatoriale.
“Kjo ndodh në Kosovë, pasi që i tërë pushteti ndodhet në dorën e një njeriu. Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit”.
“Por populli i Kosovës nuk është i verbër. Ai e sheh dhe e vuan në kurriz degradimin ekonomik, krizën energjetike dhe ngritjen enorme të çmimeve. Ata e shohin në veprim qeverinë që punësoi familjarët, kapi bordet, e që korrupsionit i dha model e formë të re”, ka reaguar AAK-ja.
Sipas AAK-së, mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen e kësaj partie dhe zotimin e tyre që nuk do të ndalen së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor.
“E nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve ’90të”, theksohet në reagimin e AAK-së.