AAK-ja zyrtarizon kandidatin për kryetar të Fushë Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramushi Haradinaj, ka zyrtarizuar kandidaturën e Hasan Ismajlit për kryetar të Fushë Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Ismajli do të vendoset përball keqqeverisjes, për të ofruar zgjidhje për problemet e banorëve të kësaj komune.
“Për vite me radhë ai është një luftëtar i madh në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Fushë Kosovës, andaj me plotë bindje e themi se Hasan Ismajli është zëri i tyre. Ai do të jetë kandidat i Aleancës për kryetar të Fushë Kosovës, në funksion të realizimit të programit zgjedhor që do të sjellë më shumë punësim e mirëqenie. Për Fushë Kosovën, Hasan Ismajli nuk është vetëm sportisti legjendar të cilit i brohorisnin në stadiume. Ai është njeriu i tyre, të cilit mund t’i drejtohen për të gjitha kërkesat, një prej njohësve më të mirë të funksionimit të komunës”.
“Fushë Kosova po rritet dita ditës. Ajo është bërë vendbanim i qytetarëve nga i tërë vendi, por edhe nga të gjitha trojet shqiptare. Hasan Ismajli me një guxim intelektual të trashëguar nga daja i tij akademik Idriz Ajeti, do të vendoset përball keqqeverisjes, për të ofruar zgjidhje për problemet, por edhe reformë të thellë të mentalitetit qeverisës sipas modeleve më të mira amerikane e evropiane. Suksese dhe fitore!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.