AAK në Rahovec nis përgatitjet dhe formon shtabin për zgjedhjet parlamentare
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Rahovec, sot mbajti mbledhjen e radhës me anëtarë të këshillit të përgjithshëm, anëtarë të kryesisë dhe kryetarë të nëndegëve.
Në këtë takim, kryetari i degës, Smajl Latifi, informoi të pranishmit për zhvillimet politike në nivelin lokal dhe atë qendror. Temë diskutimi ishin edhe çështje të rëndësishme të ndërlidhura me përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të përcaktuara për t’u mbajtur më 9 shkurt 2025.
Kryetari Latifi nënvizoi përkushtimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për t’u angazhuar në një qeverisje dinjitoze dhe të përgjegjshme, që i shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithë anëtarëve për të arritur qëllimet e përbashkëta në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të kontribuar në një të ardhme më të ndritur për komunën dhe Kosovën.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua për të gjitha aktivitetet dhe projektet e realizuara dhe atyre të planifikuara nga ana e qeverisë komunale. Nga kryetari u kërkua angazhim edhe më i madh i gjithsecilit për t’i çuar përpara të gjitha punët dhe angazhimet tona të përbashkëta në shërbim të qytetarëve të komunës sonë.
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, u themelua edhe shtabi zgjedhor, i cili do të koordinojë fushatën elektorale dhe do të sigurojë një proces të drejtë dhe transparente.