AAK-PSD premtojnë shkollim të lartë falas dhe rritje të buxhetit për arsim për 50 për qind
Zyrtarë të koalicionit AAK-PSD kanë mbajtur një konferencë për medie ku kanë folur për platformën e këtij koalicioni lidhur me përmirësimin e gjendjes së arsimit në qeverinë e re të vendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kandidati për deputet nga koalicioni, AAK-PSD, Driton Çaushi, ka thënë se është e nevojshme dhe e domosdoshme një reformë e përgjithshme për sistemin arsimor. Ai ka theksuar se AAK-ja dhe PSD-ja do ta zëvendësojnë strategjinë aktuale për arsimin me një strategji tërësisht të re.
Ai ka renditur disa pika më të rëndësishme ku do të ketë ndërhyrje imediate, sidomos në arsimin universitar.
“Kjo do të bëhet nëpërmjet rritjes së kriterit për pranimin në Fakultetin e Edukimit. Do të mbështesim autonominë e institucioneve që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë. Kontrolli do të jetë i shtuar në universitete për plagjiaturë. Do të ofrojmë bibliotekë elektronike për studentët, ku do të mundësohet qasja në literaturë cilësore ndërkombëtare. Përveç kësaj do të përkujdesemi që të ketë rritje të fondit për shkencë, hulumtime shkencore. Një mbështetje e tillë ka ekzistuar, mirëpo do të sigurohemi që përveç rritjes këtë mbështetje ta marrin institucionet që ofrojnë kushte dhe cilësi menaxheriale për hulumtime shkencore. Do të koordinohemi me partnerin tonë të koalicionit që arsimi i lartë të jetë falas, si për nivelin bachelor ashtu edhe për nivelin master”, ka thënë Çaushi
Ndërsa kandidatja për deputet nga ky koalicion, Teuta Haxhiu, ka thënë se ka një strategji të detajizuar për ndërhyrje edhe në sistemin e arsimit parauniversitar.
Si pikë më të fortë, ajo e ka përmendur depolitizimin e arsimit parauniversitar, e më specifikisht përmes depolitizimit të punësimit. Haxhiu ka përmendur edhe disa pika të tjera të strategjisë së këtij koalicioni, ku përfshihet edhe rritja e buxhetit për arsimin prej 50 për qind.
“Për arsimin parafillor dhe arsimin e mesëm, në radhë të parë, e kemi depolitizimin e arsimit në përgjithësi, gjë të cilën do ta bëjmë edhe përmes rishikimit të ligjeve, por edhe përmes përshtatjes së udhëzimeve administrative. Çdo shkollë në Kosovë do të ketë pedagog dhe psikolog. Gjithashtu kontrolle rutinore shëndetësore dhe shujta të shëndetshme për nxënësit parafillor dhe fillor. Zbatim i ligjit parauniversitar, hapje e dy çerdheve në secilin qytet. Të gjitha këto që i përmendëm, do të arrihen përmes rritjes së buxhetit për 50 për qind. Aktualisht buxheti i Republikës së Kosovës për arsim është rreth 300 milionë, ne synojmë që ta rrisim për 50 për qind”, ka thënë Haxhiu.