‘AAK-së i takojnë katër ministri, marrëveshja mund të nënshkruhet sot’

26 prill 2020 | 14:10

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate duket se janë afër për finalizimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Këta të fundit kanë thënë se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt dhe se janë në diskutim të detajeve.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Kosovapress”, se nënshkrimi i marrëveshjes mund të ndodhë edhe sot.

“Unë mendoj se afër është nënshkrimi i marrëveshjes edhe po shpresoj që shumë shpejt do ta mbërrijmë për me votuar…. E mundshme që edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër. Detajet sot kryhen”, ka thënë Selmanaj.

Ndërkohë është raportuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Sipas informatave, AAK-ja do ta ketë Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Për këtë Selmanaj, ka thënë se emrat e ministrive janë në diskutim, mirëpo ka theksuar se AAK-së duhet t’i takojnë aq ministri.

“Personalisht mendoj se numri i ministrive duhet të mbetet i njëjti që të mos ketë rritje…Ne i kemi 13 deputetë, që sipas kësaj matematike ne do të duhej me i pas 4 ministri… emrat e ministrive janë në diskutim”, ka thënë ai.

Sipas Selmanajt qeveria e re pritet të votohet në kuvend gjatë javës së ardhshme. Për këtë shpreh besimin se do të kenë votat e mjaftueshme.

Siç është raportuar ministrinë e Jashtme do ta drejtojë Meliza Haradinaj, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministrinë e Arsimit, Ramë Lika. Ndërsa, zëvendës i kryeministrit Avdullah Hoti, nga AAK-ja do të jetë Besnik Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë informon se sot Instituti i Shëndetit Publik…