Abaz Gjuka, pastrojeni BDI-në nga grykësit e pushtetit!

29 prill 2021 | 09:27

 

Abaz Gjuka,
Bashkimi Demokratik për Integrim është parti e popullit shqiptar, parti me mbi 150 mijë vota, që përfaqëson interesin, kodin dhe moralin nacional.

Është më e madhe se disa individ e grupacione që kërcënojnë me largim kur i heq nga pozita, disa individ që shantazhojnë të mbajnë pozita ose largohen, disa zullumçarëve lokal që nuk dinë kur është mjaftë me poste institucionale e favore publike.
Duhet të gjithëve t’u thoni mjaft!

Nga Gjyla HALILI

Demokracia na ka mësuar t’i themi gjërat ashtu siç janë, e jo ashtu siç mund t’i pëlqejë dikujt nga grykësit.
Por, sa jemi të gatshëm ta kuptojmë demokracinë si obligim, e jo gjithmonë si privilegj. Sepse, përvoja ka dëshmuar se kur një elitë funksionarësh akomodohet një kohë të gjatë në kolltukët pushtetit, pikërisht ajo pastaj mund të shndërrohet në krimb që ha nga brenda trupin e shëndoshë të një subjekti politik sikur është BDI.

Politikat e BDI-së të shtrira në dy dekada, prodhuan efekte të cilat, kombi shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk i ka përjetuar nga ekzistenca e tij, në trojet e veta.

Andaj, kjo politikë, e themeluar nga Ju dhe bijtë e bijat më të devotshme të kombit, i vuri gjoksin terrorit shtetëror dhe me armë në dorë, zhvilloi një luftë që dëshmoi se ka liderë dhe vizion për të ardhmen e shqiptarëve.

Në ballë të kësaj fitoreje historike, ishte dhe mbetet Ali Ahmeti, i njohur me pseudonimin ilegalo-luftarak çlirimtar, Abaz Gjuka.

Ky profil i atdhetarit të pashoq, i kalitur në ilegalen e hekurt e cila mëtonte të bashkonte shqiptarët në ish Jugosllavi në një republikë të shqiptarëve, duke u futur nga ditët e rinisë së hershme kundër regjimit gjakatar serb, hyri guximshëm në vijat që nuk i lëshoi kurrë, deri në çlirimin e Kosovës dhe dy luftërave tjera që prodhuan efekte pozitive, të panjohura deri atëherë për shqiptarët, në Luginë të Preshevës dhe si drejtues kryesor i luftës dhe i paqes, në krye të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Po ky Abaz Gjuka i njohur për luftën e pareshtur kundër hegjemonisë antishqiptare, në krye të vizionit të Bashkimit Demokratik për Integrim, dëshmoi fleksibilitet, dëshmoi qëndrueshmëri dhe dëshmoi vendosmëri për kauzat nacionale, dëshmoi devotshmëri për vlerat nacionale deri në vetëmohim, duke hapur rrugën për jetësimin e idealeve të shqiptarëve për barazi, për shtetndërtim dhe përfshirje në institucionet demokratike si në ushtri, në polici, në gjyqësi, barazinë e flamurit, të gjuhës shqipe dhe administratës shtetérore, shkollimin e të gjitha niveleve dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në çdo nivel, nga kryetari i Parlamentit, nga Zëvendës Kryeministri i Parë deri te Kryeministri i Parë Shqiptar e duke vazhduar me futbollistët shqiptar që luajnë për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.

Ali Ahmeti do të vazhdojë t’i prij ndryshimit të gjithanshëm ndër shqiptarë dhe më gjerë, duke e faktorizuar shqiptarin në çdo nivel, në çdo rast e mundësi.
Por shtrihet pyetja, a ka kush i ngop shqiptarët?
A ka kush ua mëson demokracinë e mbështetur në meritokraci të mirëfilltë, se nuk mund të jenë në pozita përjetësisht.

Se BDI nuk është pronë e disa individëve që i ndërrojnë pozitat nga drejtor në drejtor dhe kësaj i thonë reformë.

Demokracia emrimeve nuk është frymë e individëve për të ngopur egon e tyre, për të ngopur zilinë e shpërdorimit të pushtetit deri sa t’i marrë vdekja.

BDI nuk mund të lejojë të arrijë moshën e plakjes së funksionarëve të vet deri sa të shurdhohen e të verbohen nga mosha e pleqëria, pa hequr dorë nga shpërblimet, nga postet e favoret.

Abaz Gjuka,
Bashkimi Demokratik për Integrim që e drejton Ti, është parti e popullit shqiptar, me mbi 100 mijë vota, që përfaqëson interesin, kodin dhe moralin nacional të kombit tonë.

BDI është më e madhe se disa individ që kërcënojnë me largim kur i heq nga pozitat, me individ që shantazhojnë të mbajnë pozita ose të largohen, të zullumçarëve lokal që nuk dinë kur është mjaftë me poste institucionale e me favore publike.
Duhet të gjithëve, t’u thoni mjaft!

Abaz Gjuka,
nëse ju thoni mjaft dhe ndal këtyre dukurive, kështu shqiptarët do të ju duan edhe më shumë e do të ju njohin më mirë.

Thuaje fjalën për shpërdoruesit e posteve dhe favoreve, thuaju mjaft karrieristëve që nuk po zbresin nga pushteti, krijo hapësirë për kuadër të ri.

Tregoju këtyre grykësve të pamëshirshëm të pushtetit, se ka qindra e mijëra të rinjë që presin me padurim para dyerve të selisë qendrore të BDI-së dhe të selive lokale të BDI-së, por ata e kanë në masë të vështirë të përfshihen në proceset e shtetformimit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të këtyre dinozaurëve që janë më të lidhur me kolltukët e pushtetit në shtet, se sa me fëmijët dhe familjet e tyre.

Reformat në BDI nuk duhet të iniciohen dhe nuk janë të mjaftueshme vetëm sa për të disiplinuar ndonjë zhurmagji, por ato duhet të vazhdohet të bëhen të themelta, duke hequr gradualisht e në mënyrë të kontrolluar shtresën e gurëzuar të kuadrove që janë akomoduar pa merita në pushtet dhe duke sjellë kuadro profesionale e të dëshmuara, me ambicie e vizione, që punën e kanë të shenjtë e jo kolltukun.

Fol Abaz Gjuka,
ashtu siç ke folur gjithmonë dhe sikur të ka hije.
Fol ngrite gishtin dhe thuaje me te madhe mjaft!

Sepse, reforma nuk nënkupton transferimin nga pozita në pozitë tjetër, por largim pas dy mandateve të të emëruarve politik ashtu sikur funksionin demokracia amerikane, për të lënë hapësirë e shanse të barabarta për të gjithë, sepse jemi shumë, një armatë e tërë që e duam BDI-në, por që vetëm disa janë duke eksploatuar të gjitha që i ofron demokracia.

Abaz Gjuka, Largo karrieristët, uzurpatorët, shantazhuesit dhe të pangopshmit me favore, sepse nga ky katarsis fitojnë shqiptarët më shumë, fiton BDI-ja më shumë, fitojmë të gjithë më shumë, sepse e meritojmë.

Abaz Gjuka,
Largo ata që BDI-në e shohin vetëm si një grazhd ku duhet të shërohen komplekset e grykësisë karrieriste dhe afro ata që BDI-në e konsiderojnë si shtëpi të shenjtë, e cila mund të bëhet edhe më e fortë nëse qarkullimi i vlerave bëhet duke zëvendësuar karrieristët me progresistët.

Tetovë, më 29 Prill 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri më tani kandidati më i votuar nga zgjedhjet e…