Abazi akuzon rëndë pushtetin pas zjarrit në IML: Komunistët nuk besojnë në drejtësinë e pavarur
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar ashpër pas zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Ai ka akuzuar pushtetin për vjedhjen e mostrave të Astrit Deharit dhe për zjarrin në IML.
Po ashtu, ai e ka akuzuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk beson në drejtësi të pavarur.
“Njëherë e vidhën, tani e dogjën dhe në ndërkohë ministrja e Drejtësisë bën padrejtësinë e shkelje të rëndë, duke degraduar e interferuar me shtyllën e pavarur, nga pozita e ministres dhe në prapaskenë me logon e qeverisë së republikës fyen prokurorin. Deklarata publike pas intervistimit nga prokurori i rastit dëshmon që komunistët nuk besojnë në drejtësinë e pavarur, nuk e durojnë drejtësinë që nuk është sipas dëshirës së tyre. Kjo sjellje dhe ky interferim nga pozita të larta është i rrezikshëm e është i papranueshëm për shoqëritë demokratike. Ky nuk është ndryshimi, ky është VetëVazhdimi!”, ka shkruar Abazi në “Facebook”.