Abazi fton zyrtarët e LDK-së të përmbahen nga arroganca
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka deklaruar se arroganca e disa zyrtarëve të LDK-së në media nuk paraqet pikëpamjet e votuesit të LDK-së që ka votuar për ndryshim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se zyrtarët e LDK-së duhet të kenë kujdes nga pozicionet që zbehin besimin.
Sipas tij, sjelljet e tilla dërgojnë ujë në mullirin e “Pronto”.
Postimi i plotë i Abazit:
Duhet trajtuar me respekt e me kujdes përpjekja për të përcaktuar një standard të ri të arritjes se marrëveshjeve për bashkëqeverisje, sidomos kur kjo përpjekje dhe gatishmëri vjen nga LVV si fituese e parë e votës se pavarur, të pakushtëzuar, të pafavorizuar, votës nga diaspora që nuk është e varur direkt nga benificionet e mundshme politike. Dmth vota për LVV është votë e idealit për shtetin dhe vizionin e jetës me dinjitet në Kosovë. Pesha e votës është e njëjtë por pastërtia e marrëdhënies ndërmjet votës dhe subjektit politik është po aq e rëndësishme.
Deklarimi me gjuhë arrogante dhe mungesa e modestisë është karakteristikë e atyre që e kanë dëmtuar rëndë interesin e qytetarit dhe të vendit. Në atë proces LVV nuk ka participuar asnjëherë dhe në asnjë moment. Arroganca e zyrtarit të LDK në media nuk paraqet as pikëpamjet e votuesit të LDK që ka votuar për ndryshimin e madh që duhet të ndodhë, rrjedhimisht kujdes nga pozicionet që zbehin besimin, dërgojnë ujë ne mullirin e PRONTO dhe ju rikujtojnë elektoratit formulat të cilat pas shenjë së barazimit kanë interesin individual dhe jo atë shtetërorë.
Asnjë gjë nuk është me rëndësishme në këtë fazë se sa përfundimi i procesit të determinuar nga vota qytetare dhe rezultati i pastër zgjedhor e që është formimi i qeverisë dhe konsolidimi i institucioneve që të kryejnë punët e mëdha që po na presin.
#qeveriaKurti nuk ka alternative!