Abazi, i pabindur nga deklarata e Departamentit të Shtetit
Zëvendëskryeministrin Haki Abazi duket se nuk e ka bindur deklarata zyrtare e ShBA-së, sipas së cilës, ajo ka garantuar se nuk ka plan sekret për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka shpërndarë një deklaratë të John Boltonit të para dy viteve, që tash është i shkarkuar.
Zëvendëskryeministri Haki Abazi e ka shpërndarë sot një lajm të Radio Evropës së Lirë, të ish-këshilltarit të presidentit Trump për Siguri Kombëtare, John Bolton. Sipas këtij artikulli të publikuar në gusht të vitit 2018, Boltoni, tashmë i shkarkuar nga pozita e tij, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë që Kosova dhe Serbia të arrijnë vetë një marrëveshje të pranuar nga të dyja palët dhe që amerikanët nuk largojnë nga tavolina as temën e kufijve, nëse palët bisedojnë për të.
“Politikat tona, politika e ShBA-së, është se nëse të dyja palët mund të arrijnë mes vete të bëjnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë as rregullimin e kufirit. Nuk është punë e jona ta themi”, kishte thënë Bolton.
Ndërkaq mbrëmë me një deklaratë të përbashkët, emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe Matthew Palmer, i angazhuar nga Departamenti i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, thanë se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për shkëmbim të territoreve e as ambasadori Grenell s’ka parë kurrë diçka të tillë. “Ne duam të bëjmë të qartë se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, asnjëherë nuk e ka parë dhe as nuk e ka diskutuar një plan të tillë. Fokusi i Qeverisë së ShBA-së për mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për linjat ajrore, hekurudhore dhe autostradat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë synon ta përmirësojë ekonominë dhe të krijojë vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte drejt njohjes reciproke”, u tha në deklaratën nga Uashingtoni.