![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/11/abazi.png)
Abazi kërkon koordinim me partnerët pas largimit të serbëve nga institucionet
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, në konferencën e përjavshme për media ka kërkuar nga qeveria që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë pas situatës së krijuar me largimin e serbëve nga institucionet.
Abazi ka folur edhe për strategjinë për energjinë, dhe orientimin kah burimet e ripërtërishme.
“Situata në veri pas urdhrit nga Beogradi ka shkaktuar vakum institucional. Targat kanë qenë vetëm një pretekst i Serbisë që të tregojë muskujt e vet, pas procesit të Berlinit. Po i afrohemi 21 nëntorit, të gjithë janë të alarmuar, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë. Për ne është e rëndësishme që çdo qytetar të ndihet i sigurt”.
“Strategjia dalëse nga kjo situatë duhet të na kthejë në tavolinën e bisedimeve dhe koordinimit me shtetet partnere. Është e rëndësishme që t’i kthehemi fokusit të përmbylljes së marrëveshjes finale me njohje”.
“Duhet ta bëjmë sa më të lehtë të mundur që teknologjia ë energjisë së rinovueshme të vendoset sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive. Është koha e fundit që të shtohet koha për investime në energjinë e rinovueshme, duke përfshirë edhe planin kombëtar për efiçiencë”, ka thënë Abazi.