Abazi: Kurti fajtor për mosfutjen në Agjendë për anëtarësim në KiE, ka humbur besimi ndaj institucioneve
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e konsideron fajtor ish-shefin e tij në qeversije, Albin Kurtin për mundësinë e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Sipas tij, Kurti e ka pranuar Asociacionin, njëjtë siç bëri me dhënien e tokës Manastirit të Deçanit, raporton Ekonomia Online.
Këto veprime të kryeministrit Kurti, Abazi i sheh si taktizime dhe humbje të besimit të ndërkombëtarëve në institucionet kosovare. Sipas Abazit, kreu i ekzekutivit para ndërkombëtarëve e ka pranuar e statutin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE por që këtë fakt nuk dëshiron ta pranojë para elektoratit të tij.
“Jo është një huqje e madhe që ka ndodh. Realisht ne e kemi ditur që rruga në të cilën është nisur zoti Kurti duke taktizuar do të përfundojë në një rezultat të këtillë çka po shohim, do të thotë kemi mungesë totale të besimit, të sinqeritetit edhe demokracisë në institucionet e Kosovës. Këto tri elemente janë shumë të rëndësishme. Ai ka bërë zotime tjera në takimet që ka pas në dialog. Edhe në takimet për anëtarësim në Këshill të Evropës me zonjën Dora Bakoyyanis por edhe të tjerët dhe ka thënë një diçka tjetër kjo doli gënjeshtra si të themi e zhveshur total sepse deputetja e Norvegjisë në takimin e asamblesë parlamentare e tha troç që votimi pro anëtarësimit të KE-së është pasi që kryeministri ka bërë zotimin për zbatimin e statutit të Asociacionit. Kështu e tha qartë edhe në mënyrë të drejtpërdrejt duke e ditur që kjo do të ishte një kosto jashtëzakonisht e lartë për shkak se pas faljes së 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit që u vendos në letër duke ia bë dhuratë Dora Bakoyyanis tani po të bëhet edhe zbatimi i statutit ashtu siç është zotuar Kurti”, thotë Abazi, teksa veprimet e kryeqeveritarit i sheh si “vetëvrasjen” më të madhe politike, sidomos pas kalimit të suksesshëm të fazës së dytë në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së.
“Në këtë moment do ishte ‘vetëvrasja’ më e madhe politike që do ia bënte vetit dhe çfarë ndodhi nga një triumf për kalimin e Kosovës na asamblenë parlamentare erdhi në dështimin e plotë dhe tash viktimizimin siç është stili i vetëm që ka kryeministri Kurti është viktimizim total i tij kundrejt dështimeve politike dhe e natyrshme që ky taktizim, kjo gënjeshtër ndaj popullit të Kosovës doli kështu siç doli në përfundim tash është e drejtë apo jo e drejtë kjo punë mundet me u diskutu. Unë mendoj që nga fillimi është nisur gabim negociatat e tij edhe në dialogun Kosovë-Serbi edhe për çështjen e anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë ka qenë po aq e pasinqertë dhe vetëm për përfitime të tij politike të ngushta politike dhe asgjë nuk ka të bëjë me kauzat me premtimin se nuk do bëhet asnjë lëvizje para pa u gjet ata që janë zhdukur me dhunë apo pa pranuar Serbia realitetin e ri në Kosovë. Jemi kthyer realisht në nivelin që ka ndodhur ndonjëherë në politikën e Kosovës”.
Mosfutjen në agjendë sidomos pas kalimit të fazës së dytë, sipas Abazit tregon humbje të besimit ndaj institucioneve kosovare. Këtë fakt, Abazi nuk e sheh të shëndetshme për Kosovën.
“E para e ka kontaminuar rrugëtimin e vetë drejt anëtarësimit në KiE, është kontaminim sepse kur ndodh një test i tillë kur voton Asambleja Parlamentare me shumicë votash, e nuk futet në rend dite do thotë se këtu është krijuar një lloj konflikti në agjendë dhe kjo nuk është e shëndetshme për Kosovën, dhe e dyta natyrisht se ka humbur por mbi të gjitha ka humbur besimi ndaj institucioneve të Kosovës dhe kryeministrit Kurti sepse siç e thashë gënjeshtra doli të qytetarët dhe mos mbajtja e zotimit tek ndërkombëtarët është një sandviç ku e ka vendos Kosovën në mënyrë absolutisht jo meritore për qytetarët e vendit dhe për të drejtën e Kosovës për të qenë pjesë e KiE-së”, u shpreh Abazi. /EO/