Abazi për ftesat e Thaçit: Kjo është vallja e dreqit në mes të rrezikut për arkivolet e Covid-19
Zëvendëskryeministri në detyrë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka folur rreth ftesave të presidentit Hashim Thaçi për liderët e partive politike për t’u konsultuar në lidhje me formimin e një qeverisë së re pas rrëzimit të Kurtit.
Abazi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar është vallja e dreqit në mes të rrezikut për “arkivolet” nga Covid-19.
“Vullnetin dhe përcaktimin e sovranit nuk mund ta bëjë një president që kërkon një kryeministër servil për ta përfunduar planin e tij. Kjo është vallja e dreqit në mes të rrezikut për arkivolet e Covid-19. Nga këtu shkojmë në zgjedhje sipas kushtetutës, matemi me votë, ndërsa deri atëherë do të kemi një qeveri në detyrë, e cila po kryen me sukses detyrat dhe përgjegjësitë e saj. Për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përveç që janë prishur hardisqet e lidhura për mikrofonat, po ashtu edhe diktofoni mbi tavolinë nuk ka punuar. Nuk ka engjëj këtu”, ka shkruar Abazi.