Abazi përmend “pazare” për pronën afër Manastirit të Deçanit në këmbim të anëtarësimit në KiE
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë për Ekonomia Online se pranimi i marrëveshjes së Brukselit, e ka fundosur politikisht kryeministrin Albin Kurti. Thekson se moszbatimi i kësaj marrëveshjeje, ka plasaritur edhe raportet me ndërkombëtaret.
Abazi përmend edhe një “pazar” ndërmjet kryeministrit Albin Kurti në lidhje me pronën afër Manastirit të Deçanit, si këmbim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Si pasoj e këtyre taktizimeve të cilat po flas, pra mos mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit, moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin në Ohër, raportet në Bashkësinë Ndërkombëtare janë të për keqësuara deri në sanksione, dhe kjo është problem në vete, edhe përbrenda partneritetit strategjik që kemi edhe që duhet të kemi me Bashkësinë Evropiane për anëtarësim në NATO dhe BE por tani po e shihni edhe këtë çështjen e fundit që në mënyrë të heshtur Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Kurti po pranon bartjen e pronës në pronësi të kishës si shkëmbim të një anëtarësimi në Këshillin e Evropës, gjë që po të ishin parti tjera do bëhej kaos i madh në Kuvend dhe në hapësirën publike”, thotë Abazi.
Abazi ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ish-shefit të tij të dikurshëm. Thotë se ka ardhur në pushtet duke kundërshtuar Asociacionin të cilin e ka pranuar së fundmi. E ky fakt sipas Abazit ka prodhuar edhe pakënaqësi brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
“Normalisht me pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit në Oher tani më flitet për një periudhë jashtëzakonisht të vështire për Kosovën, sepse insistimi në bazë është implementimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe në bazë të këtyre marrëveshje për këtë qeveri dhe për kryeministrin Kurti është një ‘ecje nëpër gjak’, sepse është ardhur në pushtet me kauzën kundër Asociacionit, dhe tani duhet të zbatojë Asociacionin dhe normalisht kjo shtrëngon situatën deri në një përplasje e cila veç po vërehet edhe përbrenda Vetëvendosjes por edhe në raport me publikun sepse kur vjen në pushtet me kauzën kundër Asociacionit dhe e pranon zbatimin”, thotë tutje Abazi.
E nënshkrimin e marrëveshjes për de-eskalim të situatës në veri, ish-zëvendëskryeministri e quan përfundim të pozitës së Kosovës sa i përket negocimit. Thotë se nga këto veprime, partia në pushtet po synon t’i kapitalizojë për vota në zgjedhjet e ardhshme.
“Mendoj që kjo gjë tani më është e ditur, këto janë taktizme nuk ka strategji për dialog fare, nënshkrimi i marrëveshjes për deeskalim në Bratislavë e ka përfunduar pozitën e Kosovës në mundësinë e negocimit. Insistimi që bëhet nga SHBA dhe BE janë insistime përbrenda një kornize të sigurisë jo të normalizimit të marrëdhënieve. Jo të njohjes së Kosovës por të largimit të mundësisë së konfliktit në Ballkan me justifikim që Kosova nuk po i realizon premtimet e veta. Kjo e vendos Kosovën në një raport jashtëzakonisht të rëndë dhe të vështir me BE-në dh SHBA-në, rrjedhimisht nuk shoh që mund të ketë dalje të lehtë në këtë situatë përveç se tentimit për kapitalizim populist për vota për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Abazi.