Abazi: Qeveria me qasje të gabuar për kërkesat e ndërkombëtarëve
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, përmes një konference për medie ka kritikuar qeverinë, që sipas tij, ka injoruar iniciativat për të ndihmuar në procesin e dialogut si dhe në politikë të jashtme.
Abazi ka thënë se janë prekur raportet e Kosovës me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu referuar vendimit për targat, Abazi ka thënë se kjo çështje do të mund të priste deri në momentin e nënshkrimit të një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është karta dhe çelësi për Serbinë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit si dhe për të mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtarë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë Abazi, raporton Rel.
Ai ka thënë se kërkesat e ndërkombëtarëve do të duhej të konsideroheshin si dhe ka përkrahur idenë që Kosova të fillojë konsultat rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke komentuar çështjen e Asociacionit, Abazi ka theksuar se ai nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive porse meqë ekziston një mendim i Gjykatës Kushtetuese, konform tij, Kosova duhet të bëjë hapin e parë.
Abazi ka thënë se deri tek ashpërsimi i raporteve të Kosovës a ardhur për shkak të qasjes së gabuar në procesin e dialogut si dhe politikës së jashtme.
“Është urgjente që t’i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve të analizuara mirë për të rikthyer marrëdhëniet dhe për të arritur objektivat tona në interes të shtetit dhe publikut”, ka thënë Abazi.
Abazi ka shtuar se qeveria, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë refuzuar që ai të ndihmonte në hartimin një strategjie më të fuqishme gjatë vizitës së tij në SHBA, vizitë kjo që u realizua muajin maj.
Mes tjerash Abazi ka kritikuar edhe qasjen e qeverisë në raport me krizën energjetike.