Abazi: Sali Zyba ka humb në Suharekë, nuk mundet me fitu Zveçanin
Deputeti i pavarur, Haki Abazi është përfshirë në diskutimin në Kuvend për zhvillimet e fundit të komunat veriore dhe raportet diplomatike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Kosovës.
Abazi fillimisht ka thënë se Kosova ka humbur kur e ka pranuar marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve me Serbinë, në shkurt të këtij viti dhe planin e saj të zbatimit, të pranuar më 18 mars në Ohër.
“Betejën në Bruksel e kemi humbur me pranimin e Marrëveshjes, të cilën e kemi elaboruar në detaje”, ka thënë ai.
“Në pikën 10 është pranuar Asociacioni, që praktikisht, për ta përcaktuar një autonomi për serbët në Veri. Kjo është beteja e humbur në Bruksel, i konfirmuar në Ohër. Ky është realiteti i bashkëdyzuar me dështimet e të kaluarës dhe me dështimet e dialogut për dy vite e gjysmë në Bruksel”, ka thënë Abazi.
Sipas Abazit, Kushtetuta është shkelur në Bruksel, me pranimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Me zhvillimet e fundit, deputeti Abazi ka thënë se përveç “papunësisë dhe padrejtësisë”, qeveria u ka shtuar qytetarëve edhe pasigurinë.
Më tutje, Abazi ka folur për “vendime arbitrare”, “shërimin e komplekseve” dhe “jokompetencën” për veriun e Kosovës.
“Duke u fokusuar në një vendim të vetëm, në vendime arbitrare dhe ndonjëherë edhe shërimin e komplekseve personale, janë përjashtuar institucionet, janë përjashtuar vendimet e atyre që janë kompetent për situatën në të cilën ndodhemi”, ka thënë Abazi.
Këtu, ai e ka përfshirë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zybën, i cili mes tensioneve, ka hyrë një ditë në komunën e Zveçanit dhe ka qëndruar aty për një kohë që akoma s’dihet.
“Me krejt respektin, por Sali Zyba ka humb në Suharekë. Nuk mundet me e fitu Zveçanin z. Zyba. Andaj, duhet të fokusohemi te plani. Sepse, plani nuk është me e kapë kryetarin e komunës së veriut, me e çu në zyrë”, ka thënë deputeti Abazi.
Zyba ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Suharekës në zgjedhjet komunale atje, në vitin 2021.