Abazi: Synojmë rezultate pozitive ndaj Austrisë dhe Sllovenisë
Përfaqësuesja e Kosovës U17 në futboll të martën është nisur sot drejt Austrisë, ku prej 6 deri më 12 tetor do t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese të Grupit 9 për Kampionatin Evropian “Izraeli 2022”.
“Dardanët” U17 gjatë dy ditëve të kaluara kanë zhvilluar stërvitje në kompleksin e FFK-së në Hajvali, derisa sot (e mërkurë) do ta zhvillojnë ndeshjen e parë kundër Austrisë, në Traiskirchen, në orën 18:30. Ndeshjen e dytë Kosova U17 do ta luajë me Slloveninë më 9 tetor në orën 11:00 në Lindabrunn, derisa në të njëjtin qytet më 12 tetor e zhvillon ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe në orën 15:30.
Përzgjedhësi Arsim Abazi ka shprehur optimizëm se djelmoshat e tij do të arrijnë të shfaqin lojëra të mira dhe të marrin rezultate pozitive.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Edhe pse kemi pasur vetëm dy stërvitje me këtë përbërje të lojtarëve, jemi munduar të nxjerrim më të mirën dhe ta përgatitim ekipin për ndeshjen e parë kundër Austrisë. Gjithsesi, qëllimi ynë është që të mos i humbim ndeshjet, ngaqë dy të parët e grupit kualifikohen tutje. Kemi një fond të mirë të lojtarëve, edhe pse disa lojtarë që kemi planifikuar t’i kemi për këto kualifikime ka qenë e pamundur t’i grumbullojmë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Sidoqoftë, udhëtojmë me optimizëm dhe shpresoj që edhe fatin ta kemi në anën tonë. Dihet që Austria dhe Sllovenia janë ekipe me traditë në futbollin evropian, por ne i kemi analizuar disa ndeshje të tyre dhe do të bëjmë çmos që të kemi paraqitje sa më dinjitoze”, ka thënë Abazi.