Abazi thotë se Kurti, Konjufca dhe Kusari-Lila e shkarkuan nga pozita e kryetarit për këtë arsye
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se po të mos shkarkohej nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nuk do të dërgohej letra në Këshillin e Evropës për njoftimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Abazi ka krahasuar pushtetarët me Fadil Hoxhën, duke thënë se edhe ai sikurse pushtetarët e sotshëm kanë menduar se nuk kanë pranuar kushtet e Serbisë.
“Edhe Fadil Hoxha ka menduar si këta sot kur ka qëndruar në anën e atyre që kanë dhënë urdhër për të vrarë Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën dhe gjithë shqiptarët që nuk kanë pranuar kushtet e Serbisë dhe kanë luftuar kundër okupimit sllavo-komunist!”, ka shkruar Abazi në “Facebook”.
Ai ka përmendur shkarkimin e tij, që sipas Abazit është bërë me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.
“Dy ditë pas sulmit që Vuçiqi bëri kundër emrit tim, në Parlamentin serb, Kurti ka dhënë urdhër për shkarkimin tim nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Ky urdhër është zbatuar nga Mimoza Kusari dhe është ekzekutuar nga Glauk Konjufca, dy herë pasi që herën e parë kanë dështuar të mbledhin numrat e të gjithë deputetëve.”
“Kjo është bërë sepse në asnjë mënyrë nuk do të lejoja që këto paturpësi të kalonin dhe një letër e tillë të dërgohej në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Abazi.