Abazi tregon disa nga deputetët e “Grupit të Gjelbër të Deputetëve”
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka zbuluar disa nga emrat e grupit vullnetar të deputetëve, “Grupi i gjelbër i deputetëve”.
Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Abazi ka thënë se, sipas rregullores, nevojiten gjashtë nënshkrime në minimum, ndonëse numri i të interesuarve, siç ka thënë ai, ishte i lartë.
Ai ka treguar se ndër pjesëtarët e këtij grupi janë ish-ministrja e Financave dhe ish-ministrja e Arsimit, nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Besian Mustafa, Gazmend Gjyshinca dhe Drita Millaku nga radhët e LVV-së.
Të shtunën e 15 tetorit, Abazi ka njoftuar për themelimin e “Grupit të gjelbër të deputetëve”, nga një grup vullnetar i deputetëve.
“Në bazë të nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, grupi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot Kryetarit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kemi paraqitur Njoftimin për Themelimin e Grupit Vullnetar ‘’Grupi i Gjelbër i Deputetëve”, ka shkruar Abazi, gjersa ka bërë të ditur se ai do të jetë kryesuesi i këtij grupi.
Para pak ditësh, Abazi ka shprehur pakënaqësi ndaj shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, për mënyrën se si po udhëheq ajo.