Abazoviç dhe Milatoviç “përplasen” se kush do ta përfaqësojë Malin e Zi në OKB
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, e ka kundërshtuar vendimin e kryeministrit me mandat teknik Dritan Abazoviç, që edhe ai të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet këtë muaj.
Milatoviç, i cili do të jetë pjesëmarrës, ka shkruar në rrjetin social X, se vendimi i Abazoviç-it për t’u paraqitur me një delegacion të posaçëm në New York, “sjellë konfuzion në seriozitetin e përfaqësimit diplomatik” të Malit të Zi.
Milatoviç, si dhe Abazoviç, do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York, nga 18 deri më 26 shtator.
Për këtë çështje, institucionet malazeze kanë pasur një rregull të pashkruar; praktikohej sistemi i rrotacionit.
Në seancë, merrte pjesë një vit presidenti, ndërsa vitin tjetër kryeministri.
Këtë traditë duket se do ta prishë Abazoviç.
Ai e kishte përfaqësuar, dhe ishte udhëheqës i delegacionit të Malit të Zi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar.
Kjo “përplasje” në mes të Abazoviç-it dhe Milatoviç-it vjen në një kohë kur në Mal të Zi po zhvillohen negociatat për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, si fitues i zgjedhjeve parlamentare, është emëruar nga presidenti Milatoviç më 10 gusht, mandatar për ta formuar qeverinë e 44-të malazeze.
Ai, sipas ligjit, ka 90 ditë afat për ta krijuar qeverinë.
Mirëpo, Milatoviç, i cili është edhe nënkryetar i Lëvizjes Evropa Tani, nuk është pajtuar me mënyrën se si kryetari Spajiç i ka zhvilluar negociatat.
Ai, ndryshe nga Spajiç, beson se koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb – duhet që të jenë pjesë e qeverisë.
Nga ana tjetër, Milojko Spajiç, ka përjashtuar çfarëdo mundësie për të marrë në koalicionin qeverisës Partinë Demokratike të Socialistëve, dhe Lëvizjen Qytetare Ura – që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Së fundmi është bërë me dije se edhe ish-Fronti Demokratik nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të Spajiç-it.