![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/07/abazoviqi.png)
Abazoviqi dhe Kurti nuk pajtohen për ‘Ballkanin e hapur’
Të lëvizet nga nacionalizmi te ekonomia Në panelin e tryezës së rrumbullakët të qeverisë greke që po zhvillohet tani, kanë folur kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.
Abazoviq dhe Kurti s’janë pajtuar me njëri-tjetrit sa i përket nismës rajonale “Ballkani i hapur”.
Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e qeverisë se Kosova përkrahë Procesin e Berlinit dhe jo iniciativat tjera, teksa Abazoviqi është shprehur se duhet të punohet përmes nismave rajonale dhe të lëvizet nga nacionalizmi te ekonomia.
“Mendoj se çdo iniciativë që na jep neve mundësi të punojmë së bashku dhe ta lëvizim fokusin nga e kaluara te e ardhmja, nga nacionalizmi te ekonomia te progresi dhe për mua dhe Qeverinë e Malit të Zi është e pranueshme. Neve s’na intereson emri i iniciativës. Ne përkrahim edhe Procesin e Berlinit. Ne s’jemi anëtar të ‘Ballkanit të hapur’, por s’do të thotë asgjë sepse jemi përkrahës për çdo gjë që na bashkon. Mendoj se në dialog është mënyra se si mund t’i zgjidhim disa çështje. Miku im, kryeministri Kurti tha se Procesi i Berlinit, po ashtu mund të bëhet më i mirë dhe më produktiv, nga perspektiva jonë është më se i mirëseardhur ta shohim atë”, ka thënë Abazoviqi.
Më tutje, Abazoviqi ka thënë se nëse nismat rajonale shfrytëzohen për diçka tjetër jashtë agjendës së BE-së, Mali i Zi s’do të jetë pjesë.
“Iniciativat rajonale janë mekanizma që mund ta shpejtojnë integrimin tonë në BE. Nëse e shfrytëzojmë për diçka tjetër që është jashtë agjendës së BE-së, ne s’marrim pjesë, ne kemi interesin që Mali i Zi të jetë anëtar i plotë i BE-së dhe këtë e dëshirojmë edhe për vendet fqinje”, ka thënë ai.