Abazoviqi për ‘Ballkanin e hapur’: Në Ohër shkojmë si vëzhgues
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili pasi e ka marrë detyrën e shefit të qeverisë, i ka kërkuar Kosovës që t’i bashkohet “Ballkanit të hapur”, ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë vendi i tij me këtë iniciativë, pjesë e të cilës aktualisht janë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Abazoviqi duke folur në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti ndërkombëtar republikan nga ShBA-ja, ka thënë se Mali i Zi do të shkojë si vëzhgues në Samitin e Ohrit që do të mbahet 7-8 qershor.
I pyetur rreth qëndrimit të zëvendëskryeministrit malazez, Rasko Konjevic, i cili ka qenë i ashpër duke thënë se askush nuk mund të marrë obligime në emër të shtetit, Abazoviqi ka thënë se kjo është “pjesë e taktikës dhe marrëveshjeve” që kanë për qëllim të ndajnë shoqërinë në Mali të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq mban qëndrim kundër hyrjes së Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, por Abazoviqi ka thënë se politikën e jashtme e udhëheq qeveria.
“Nuk shkojmë në Ohër të bëhemi pjesë të ‘Ballkanit të hapur’. Shkojmë si vëzhgues. Do të analizojmë se çfarë është e mirë për vendin, nëse vlerësojmë se është diçka e mirë nuk kam asgjë kundër aqë t’i bashkohemi iniciativës”, ka thënë Abazoviqi.