![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/04/abazoviqi.jpg)
Abazoviqi takohet sot me delegacionin e lartë amerikan
Një ditë pasi është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviq do t’i presë sot në Podgoricë delegacionin e lartë të Departamentit të Shtetit të kryesuar nga ndihmëssekretarja Karen Donfried.
Pasi kanë vizituar Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën, delegacioni amerikan sot do të qëndrojë në Mal të Zi, raporton radiotelevizioni malazez.
Ndihmësja e sekretarit Antony Blinken, Donfried do të jetë e shoqëruar nga emisari për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Të dy zyrtarët e DASh-it do të ripërsërisin angazhimin e ShBA-së për mbështetjen e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas Departamentit të Shtetit, zyrtarët e lartë që nisën turin ballkanik të hënën do ta falënderojnë Malin e Zi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe përkrahjen për Ukrainën, duke mbyllur zonën ajrore për aeroplanët rusë.