
Abbasi flet në Këshillin e Sigurimit për Jerusalemin
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, do të flas në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të vendimit të administratës amerikane për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit.
Ambasadori i Kuvajtit në OKB, Mansour al-Otaibi, që është kryesues i Këshillit të Sigurimit për këtë muaj, ka thënë mbrëmë në një konferencë për gazetarë, se qeveria e tij e ka ftuar zotin Abbas për të folur në takimin mujor për Lindjen e Mesme më 20 shkurt.
Otaibi tha se fjalimi i Abbasit do të jetë “i rëndësishëm dhe i dobishëm” për shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Asnjë anëtar i Këshillit nuk e ka kundërshtuar propozimin” që Abbas të flas në Këshillin e Sigurimit, ka thënë Otaibi.
Palestinezët e shohin pjesën lindore të Jerusalemit si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e ka shpallur kryeqytet, por ky vendim asnjëherë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. (Rel)