Abdixhiku: 1 milion shqiptarë që ishin në Bllacë s’guxojnë të flasin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj se prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, nuk mund të flasë për veteranët pasi që nuk ka qenë në luftë, por në Bllacë.
Sipas Abdixhikut, sipas kësaj deklarate të Haradinajt, askush nga 1 milion shqiptarët që kanë qenë në Bllacë nuk guxon të flasë.
“Ju që keni ikur në Bllacë, fëmijë, pleq, gra e burra – të gjithë ju 1 milion shqiptarë të maltretuar e dëbuar – ju nuk keni të drejtë në këtë shtet. Ky shtet është veçse i yni! Ju nuk keni të drejtë as të hetoni hajnitë, as të kërkoni drejtësi, as të vëni në pyetje krimet e mashtrimet. S’guxoni të bëni një gjë të tillë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Madje, sipas tij, të gjithë ata 1 milion shqiptarë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre, nuk kanë të drejtë të shkollohen e të bëhen një ditë prokuror e as të edukohen për gjyqtarë; “ju keni të drejtë veç të paguani taksa – të cilat ua marrim më vonë. Herë 40 e herë 50 milionë”.