Abdixhiku: Ata që e nisën aventurën e Speciales, mbajnë përgjegjësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj akuzave që Kadri Veseli ia drejtoi sot gjatë ditës partisë së tij.
Veseli tha se LDK-ja i gëzohet Speciales, dhe se me veprimet e tyre po tentojnë të fitojnë poena politikë me këtë temë.
Këto deklarata të Veselit po i quan joserioze Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë për lajmi.net se punët e nisura në terr, duke aluduar në shfuqizimin e Speciales, nuk kanë si të përfundojnë ndryshe.
Sipas Abdixhikut, për veprimet e tilla, dikush duhet të marrë përgjegjësi.
“S’mund ta marr me seriozitet dikë që s’është në gjendje ta shkruaj një artikull vet. Prandaj akuzat e tilla i shoh si joserioze.Gjithsesi, një punë e nisur në terr, hije e me mashtrim s’ka se si të perfundojë ndryshe. Ata që nisën një aventurë të tillë të papërgjegjshme mbajnë përgjegjësi para qytetarëve tanë”, thotë Abdixhiku për lajmi.net
Tutje Abdixhiku ka thënë se partia e tij nuk bën lojëra me çështjet nacionale, sidomos në raport me Amerikën.
“LDK nuk bën lojëra politike me temat e ndjeshme nacionale për vendin. E edhe më pak me relacionet ekzistenciale që i ka me SHBA-të. LDK në tema si këto do të jeteë gjithëherë gardian i Republikës”, ka përfunduar Abdixhiku për lajmi.net
Ndryshe, nisma për shfuqizimin e Speciales duket se po shkon drejt fundit.
Veç Veselit që sot tha se nuk do të mund të ndodhë një gjë e tillë, edhe zyra e kryeministrit tha se nuk ndërmarrin iniciativa që nuk përkrahen nga deputetët.