Abdixhiku: Brengosës fakti që qeveria e ShBA-së shprehet e zhgënjyer nga ajo e Kosovës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, ka thënë se është tejet brengosës fakti që qeveria amerikane është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin për targa.
Abdihxiku tha se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë siç janë ShBA-ja dhe BE-ja.
“Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”.
“E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garancë për vendin tonë. Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë; siç dhe e ka domosdoshmëri koordinimin me aleatë në ndjekjen e synimeve strategjike”, ka thënë Abdixhiku.
Këto komente, Abdixhiku i bëri në Dragash, gjatë ciklit debatues “LDK ju dëgjon” që partia e tij po e bën.
“Në Dragash, kryetari Abdixhiku dëgjoi nga afër për problemet e qytetarëve; rritjen e çmimeve, problemet në sektorin e energjisë, si dhe prezantoj konkretisht alternativën dhe programin praktik se si duhet të zgjidhen këto probleme”, thuhet në njoftimin e LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës mori vendim që të gjithë pronarët e veturave që kanë targa ilegale, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të qortohen nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, nga 21 nëntori deri më 21 janar ata do të gjobiten, kurse nga 21 janari deri më 21 mars do të vendosen targa provuese.