Abdixhiku: Buxheti i vitit 2019 ka blerë paqen sociale
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se buxheti i vitit 2019-të, ka blerë paqen sociale në vend.
Abdixhiku deklaroi se LDK-ja, nuk do ta mbështet këtë buxhet. “Ky buxhet e ka blerë paqen sociale në vend, nuk është buxhet zhvillimor. Kategoria sociale është me pjesëmarrjen më të madhe në buxhet, ku vetëm këtë vit shtohen mbi 80 milionë euro dhe janë 22 skema sociale”, u shpreh Abdixhiku në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se ka një diskrepancë të planifikimit buxhetor dhe fjalëve të qeverisë. “Ka një diskrepancë të planifikimit buxhetor dhe fjalëve të qeverisë. Kur planifikojmë 8 për qind për rritje ekonomike e kemi 4 për qind, nuk e kemi përgjysmuar si vlerë, por kemi humbje të vendeve të punës. Vetëm këtë vit kemi më pak 16 mijë vende pune. Pjesa më e madhe e buxhetit është ndarë për asfalt dhe që është ndarë në baza partiake. Kosova ka pjesëmarrjen më të vogël të buxhetit në shëndetësi, ku kemi marrin pjesë shumë pak se vendet e rajonit. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet buxhetin në fjalë”, është shprehur ai.