Abdixhiku: Çështja e të pagjeturve, plagë e hapur e Kosovës

27 prill 2021 | 13:34

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar të pagjeturit me rastin e 27 Prillit –  Ditën e të Pagjeturve dhe 22-vjetorin e masakrës së Mejës.

“Pranvera e vitit 1999 ishte më e rënda në historinë e Kosovës. Ishte viti, kur Serbia filloi përpjekjet e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj. Ajo kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, masakroi qindra e mijëra shqiptarë, dogji shtëpi e shkolla dhe dëboi shumë shqiptarë nga vendi i tyre. Ne sot, kujtojmë masakrën e Mejës ku u vranë e masakruan 376 civilë shqiptarë, por njëkohësisht shënojmë 27 Prillin – Ditën e të Pagjeturve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se masakra e Mejës, 22 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e cila sipas tij kishte mobilizuar botën e civilizuar demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri.

“Sot, e 22 vjet shumë familjarëve nuk u përfundojë ankthi i pritjes për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre e që ende nuk dinë se ku prehen.   Institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që ankthi i tyre të marrë fund, që sadopak t’iu zbutet dhimbja. Çështja e të pagjeturve mbetet ende plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht të metave që e kanë karakterizuar procesin e privatizimit…