Abdixhiku: Derisa po flasim në Kuvend, dikush nga LV-ja ka qenë duke nënshkruar një tender sekret
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për numrin e lartë të kontratave njëburimore.
Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për nisjen e iniciativës rreth hetimit të kontratave njëburimore, Abdixhiku ka përgëzuar deputeten Hykmete Bajrami.
Këto kontrata, sipas tij, kanë një emër – “tender sekret”.
“Ajo që po provojmë të bëjmë këtu, dua të përgëzoj deputeten Bajrami që ka nisur këtë iniciativë. Është përshkrimi i një praktike të shpërndarë në gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit te operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshjet direkte”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe derisa po flitej në Kuvend, dikush nga VV-ja ka qenë duke nënshkruar një tender sekret. “Sot teksa flasim, dikush në LV është duke nënshkruar një tender sekret. Kjo praktikë po rritet. Vitin e parë ishin 30 milionë euro, vitin e dytë u bënë 70, në vitin e tretë 109 milionë euro tenderë sekretë”, tha ai.
Tutje, Abdixhiku, tha se: “13 herë, një kompani e vetme, është ulur me një përfaqësues të ndërmarrjes publike, e ka marrë tender sekret. Ose në MPB, 15 milionë euro për shërbime të IT-së”.