Abdixhiku flet për pesë stadiumet e premtuara: Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha

29 dhjetor 2024 | 13:57

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë të diel ka folur për pesë stadiumet që është zotuar që do t’i ndërtojë.

Ai ka thënë se Kosova do të ketë ambicie të mëdha, aso që e ngritë vendin përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike.

“Në këtë të diel të sportit, të futbollit, më lejoni të ju flas për 5 stadiumet rajonale, që i kemi prezantuar si koncept ide tashmë para investitorëve potencial, pjesë e programit tonë politik tashmë të zotuar publikisht. Në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse. Kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro; financim i Qeverisë Qendrore. Këto pesë stadiume rajonale, së bashku me Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, e Stadiumin e Ri Kombëtar me 30 mijë ulëse, do të kompletojnë mozaikun e peisazhit modern futbollistik në Republikën tonë – në të 7 regjionet tona”.

“Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha. Aso që e ngritë vendin tonë përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike ku jemi sot. Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor që na nxjerrë nga epiteti i ‘të fundit në Evropë’! Kosova ka nevojë për ndryshim dhe atë rrënjësor! Këto janë zotimet tona! Këto ne do t’i bëjmë!”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Una Gashi, ka nevoje për ndihëm financiare për shërim. Pasi…