Abdixhiku godet pushtetarët: Nuk e besojnë Kosovën, e shohin si të përkohshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në shënimin e 34-vjetorit të degës së kësaj partie në Obiliq.
Në këtë ngjarje, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është duke mbledhur rreth vetës njerëzit më të mirë.
Ai ka thënë se “Kosova është shumë e pasur për të qenë e fundit në Evropë dhe për të qenë kaq e zbrazët e për të qenë kaq e zymtë”.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka fajësuar qeverinë aktuale të cilën e ka quajtur populliste.
“Në Obiliq, së bashku me kryetarin e degës dhe komunës, z. Xhafer Gashin, shënuam përvjetorin e 34-të të themelimit të degës. Mes mirënjohjeve të dhëna për kontributin e gjeneratave të tëra, shtruam thirrjen tonë për të tashmen sikurse dhe vizionin tonë drejt së ardhmes. LDK-ja po mbledhë rreth vetes njerëzit më të mirë të vendit, si thirrje për ngritje të djathtë gjithënacionale, si domosdoshmëri për t’i dhënë vendit të ardhme!”.
“Kosova është shumë e pasur për të qenë e fundit në Evropë. Për të qenë kaq e zbrazët e për të qenë kaq e zymtë. Kosova ka plot njerëz punëtorë, familje të ndershme, biznese të shëndosha, mësues me ideale, mjek me pasion, shërbyes me dinjitet. Kosova ka tradita të pasura që duhet t’i kultivojë me fanatizëm, e ka potenciale të jashtëzakonshme që duhet t’i shfrytëzojë me plot përkushtim. Popullistët këtë nuk kanë brengë. Fillimisht sepse nuk e besojnë Kosovën, e shohin si të përkohshme; e më pas sepse kanë tjetër synim. Ata brengë kanë mirëmbajtjen e vetes. Sa vota sjellë një vendim. Dhe në këtë mirëmbajtje kanë mbetur të kurthuar në përballjen me të shkuarën. Aty qëndrojnë me mburrje e krenari, por aty Kosova s’duron të qëndrojë më”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.