Abdixhiku: Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i LDK-së
Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, njëherësh edhe ish-kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Rugova.
“E nderuara familje Rugova; Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova. Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues”, është thënë në telegramin ngushëllues.
Ai ka shkruar se Haki Rugova u nda fizikisht, por vepra e tij do të kujtohet përjetësisht.
“Ndarja nga jeta e tij lë një zbrastirë të madhe jo vetëm për familjen, po edhe për gjithë qytetarët e Istogut dhe gjithë Kosovës, ndërsa LDK-ja humbi veprimtarin e madh të saj. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut dhe të Kosovës. Shpirtërisht dhe në lutje jemi me ju në këto çaste pikëllimi! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, është shprehur Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.