Abdixhiku i kërkon Kurtit ta sqarojë se a është e mirë marrëveshja me Serbinë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar dy sqarime nga kryeministri Albin Kurti për dakordimin e arritur të martën në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e energjisë elektrike në veri të vendit.
Abdixhiku ka thënë se “politikani hijeve të veta s’mund t’iu ikë”. Ai ka thënë se Kurti duhet të tregojë nëse marrëveshja është e mirë apo jo.
“Kryeministri Kurti ka nevojë t’i bëjë dy sqarime bazike: e para është logjike, a është marrëveshja e mirë apo s’është e mirë? Nëse është marrëveshja e mirë, që është replikë e një marrëveshjeje paraprake, atëherë me të drejtë mund t’i shtrosh argumentet se po kthehet legjitimiteti në veri dhe po mblidhen të hyrat pas 20 viteve”.
“Por nëse marrëveshja s’është e mirë, atëherë duhet të flasim për legalizimin e Serbisë – ju citoj – në Kosovë dhe veri”, ka thënë ai.
Abdixhiku e ka pyetur Kurtin se cila është natyra e marrëveshjes, pasi ka thënë se “të dyjat s’mund të jenë”.
“Nëse është dëm e s’është vazhdimësi, atëherë pse na e sjelle ‘Elektroseverin’ në Kosovë, të cilin e ke kundërshtuar para 4 viteve këtu në foltore”, ka thënë Abxixhiku.