Abdixhiku i merr vajzat e tij në zyrë, shënon Ditën e Presidentit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në Ditën e Presidentit, ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, për të cilin ka thënë se ishte themeltar i demokracisë institucionale të Kosovës.
Abdixhiku ka shkruar se vizioni i Rugovës është udhërrëfim për Kosovën dhe gjeneratat e reja edhe sot e kësaj dite.
“30 vjet më parë, më 24 maj të vitit 1992, u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë. Populli i Kosovës, përveç se vendosi themelet e demokracisë institucionale në vend, zgjodhi dhe prijësin e vet historik – atin themeltar të shtetit tonë – presidentin Ibrahim Rugova. Me të nisi artikulimi demokratik i vullnetit popullor për liri, pavarësi e demokraci. Pjesa tjetër është histori e lavdishme. Sot, shënojmë Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës, siç dhe nderojmë kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës dhe gjeneratës së artë politike të vendit tonë. Vizioni i Presidentit mbetet udhërrëfim për Kosovën e gjeneratave të ardhshme”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Për Ditën e Presidentit edhe presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e Ibrahim Rugovës. Nga aty, Osmani ka thënë se kjo ditë i kushtohet atij.