Abdixhiku ia dorëzon Kurtit një dokument për dialogun me Serbinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar të mërkurën me kryeministrin Albin Kurti. Në këtë takim, Abdixhiku ka bëtë me dije se ia ka prezantuar Kurtit qëndrimet e LDK-së në lidhje me dialogun.
Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ia ka prezantuar Kurtit pozicionin e LDK-së, në formë të shkruar, dhe një gjë të tillë kërkon ta bëjë edhe Qeveria e Kosovës.
“Kam marrë pjesë në këtë takim për t’i prezantuar qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me dialogun. Si LDK as nuk i ikim takimeve e as nuk i shmangemi temave të mëdha për vendin. Prandaj, pasi kemi dëgjuar pozicionin e Qeverisë, kam prezantuar pozicionin politik të LDK-së, në formë të shkruar; dhe i kam kërkuar Kryeministrit që ai dhe Qeveria e tij të prezantojë një pozicion të tillë para qytetarëve tanë dhe ndërmjetësuesve jashtë. Janë të lirë ta marrin këtë tonin nëse ju duhet”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se në dokumentin të cilin ia ka dërguar Kurtit, janë disa parime të cilave qeveria duhet t’i përmbahet në negociatat me Serbinë.
“Përderisa i përmbahen parimeve kryesore të prezantuara në këtë dokument, pra nuk negociojnë për territor, nuk devijojnë nga rendi kushtetues e nuk prishin karakterin unitar të Kosovës, secila marrëveshje që përfundon në njohje të ndërsjellë, njohje nga vendet e BE-së e anëtarësim në NATO, është e pranueshme për ne. Si Kryeministër, ai ka për detyrë dhe obligim të bartë këtë proces, jo ta shmangë atë. Po ashtu, i kam kërkuar Kryeministrit që raportimet rreth dialogut t’i bëjë në Kuvendin e Kosovës; aty ku janë të zgjedhurit e qytetarëve tanë”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë i Abdixhikut: KËTU