Abdixhiku: Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vizituar të hënën “Shtëpinë e Pavarësisë” për të shënuar “Ditën e Presidentit”.
Me këtë rast, ai ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova mbetet ati themeltar i shtetit të Kosovës.
“Sot, me Albinën e me bashkëpunëtorë, vizituam ‘Shtëpinë e Pavarësisë’ për të shënuar Ditën e Presidentit. Më 24 maj të vitit 1992, Kosova mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin dhe Presidentin e Republikës. Ibrahim Rugova, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Kosovës dhe kështu nisi rrugëtimi ynë institucional për liri, pavarësi e demokraci. Pjesa tjetër është histori e lavdishme që i mbijeton kohës. Ati themeltar i shtetit të Kosovës, Dr. Rugova, i mbijeton kohës. Në ‘Shtëpinë e Pavarësisë’ njeriu gjen jo vetëm kujtesën e një elite intelektuale e një lëvizje popullore që përcaktoj të ardhmen mbarë e mirë, por edhe motivin për të shërbyer me nder e përgjegjësi në këtë vend. Ky motiv është udhërrëfyes për secilin prej nesh sot e nesër”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.