Abdixhiku: Ibrahim Rugova nuk ishte properëndimor, ishte perëndimor

10 qershor 2024 | 11:57

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka organizuar konferencë me titull: “Rugova dhe Perëndimi”, ku po marrin pjesë shumë emra të shquar, mes tyre edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Ibrahim Rugova nuk ishte properëndimor, por perëndimor.

“Sot pikërisht për shkak të sakrificës së tyre, renditjes së yjeve politike në skenën botërore, unë dhe secili prej jush sot këtu duhet të kuptojmë mësimin e vetë lirisë, aq të shtrenjtë, mbi të gjitha te kapërcimi i vlerave që na sollën këtu. Kjo e ardhme, na vjen e skicuar dhe projektuar në fjalë të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova, Kosova e pavarur, vend në BE dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në. Është Ibrahim Rugova dhe Perëndimi që na u gjendën në orët më të rënda. Për Rugovën si prijës historik, kanë folur e kemi folur në secilin rast tonin. Udhëheqësi i shkrimtarëve të Kosovës, e njohësi i qytetërimit perëndimor, përafroi vlerat e perëndimit me vlerat e popullit të tij. Rugova nuk ishte pro perëndimor, siç mund të thuhet shpesh në fjalorin politik, ai ishte perëndimor në vetë kuptimin e fjalës. Nuk ishte properëndimor, ishte perëndimor në bindje, në besim dhe sjellje”, ka thënë Abdixhiku.

Më tutje, ai ka thënë se “nuk do të arrij asnjëherë që përmes fjalëve ta përshkruaj ndjenjës e lirisë”.

“Do të kem qenë me fat, që jetuam një mundësi të tillë. E kam të vështirë t’ua shpjegoj vajzave të mia dhe gjeneratave të tyre, që lirinë e marrin si të mirëqenë, që nuk kishin nevojë ta dinin mungesën e saj. Ai besonte në këtë filozofi dhe oskidentalizmi ishte identiteti i tij. Besonte te kultura si identitet, si thelbi i asaj çka ishte Evropa. Dishepulli i kësaj filozofie ishte ndjekës i Skënderbeut dhe Pjetër Bogdanit. Rugova e mendonte Kosovën si një bashkësi perëndimore. Rugova ishte perëndimor autentik. E dëshmonte me studime e veprime politike, kudo e kurdo. Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, kur po shembej Muri i Berlinit e Ballakani po i kthehej kasaphaneve të mëdha. Ai kthehet në veprimtar politik duke ndjekur shembullin politik. Ai zgjodhi pacifizmin dhe sjelljen e lirë”, ka thënë Abdixhiku.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK),…