Abdixhiku kërkon anulimin e tenderit 110 milionë eurosh për autostradën e Gjilanit
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se nga sot ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit.
Sipas tij, ministria e mandatit të kaluar e ka shpallur tenderin në vlerë prej 110 milionë eurosh për ndërtimin e 24 kilometrave të kësaj autostrade.
“Qeveria e tanishme do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e ndërmarra nga qeveria e kaluar që nuk kanë bazë ligjore, me vëmendje të veçante te ato vendime që kanë implikime të mëdha financiare”.
“I sigurojmë qytetarët që projekti në fjalë do të jetë prioritet i qeverisë, është pjesë e programit tonë qeverisës, por thirrja për tenderim të ndodhë vetëm pasi të jetë miratuar buxheti i vitit 2020”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se nuk guxojnë ta fusin Kosovën në borxhe pa pasur buxhet të aprovuar.
“Futja e shtetit në detyrime financiare pa buxhet të aprovuar paraprakisht, përveç që është akt joligjor, ka mundësi edhe për penalizime financiare, të ngjashme siç i ka pasur Kosova në vitet e shkuara”.
“Nuk guxojmë të shpenzojmë dhe ta fusim shtetin në borxhe pa pasur buxhet të aprovuar. Në bazë të buxhetit në fjalë do të bëjmë tenderime kësisoj”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka thënë se kanë plane edhe për Autostradën e Dukagjinit, duke thënë se “në vend të ndërtimit të një autostrade, e kemi paraparë zgjerimin e rrugës aktuale dhe mjetet tjera të shkojnë në arsim dhe projekte të tjera”.