Abdixhiku kërkon aplikim të menjëhershëm për anëtarësim e Kosovës në NATO
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se tash e tetë ditë siguria e Evropës është në rrezik, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Abdixhiku ka thënë se siguria e kontinentit është vënë në peshoren e siç e ka cilësuar ai të tiranisë së Kremlinit.
“Sot jemi në ditën e tetë të tronditjes botërore si reflektim ndaj këtij agresioni. Tash e tetë ditë siguria e kontinenti tonë është vënë në peshoren e tiranisë së Kremlinit mes kërcënimeve për luftë nukleare e diktatoreve që nuk zgjedhin mjet e forcë për të shtypur popuj me forcë”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, ka thënë se në Ukrainë nuk po mbrohen vetëm themelet e pavarura të një shteti, por edhe vlerat e lirisë e paqes.
“Në Ukrainë tash e tetë ditë po mbrohen jo vetëm themelet e pavarura të një shteti dhe jo vetëm e drejta e një populli për të caktuar fatin e vet larg shtypjes, por në Ukrainë tash e tetë po mbron të gjitha vlerat njerëzore të lirisë, paqes, të së drejtës”, ka thënë ai.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka bashkuar edhe më shumë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Përballë një agresioni të tillë të paprecedent në Evropë qysh nga luftërat e ish-Jugosllavisë, pati një reagim të unifikuar në masë dhe të zëshëm të gjithë botës demokratike. Asnjë ngjarje e mëparshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk ka arritur që të bashkojë kaq, shpejt, kaq zëshëm e kaq qartë botën demokratike. Ky bashkim solli sanksione, ekonomike, politike, kulturore e sportive”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka theksuar se Kosova me të drejtë është rreshtuar krah vendeve perëndimore në qëndrimet e tyre për Ukrainën.
“Kosova natyrshëm dhe me të drejtë u rreshtua në krahë të vendeve demokratike. Si vend i vogël s’mund të ndikojnë në ngjarje me përmasa kaq të mëdha edhe pse ato tek ne ndikojnë. Por sepse jemi pikërisht të vogël ky rreshtim i joni edhe më shumë ka kuptim, si simbolikë por edhe si akt. Ky rreshtim i jep kuptim vendit tonë”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se Serbia do të mbetet në anën e errët të historisë, duke mbështetur agresionin rus në Ukrainë.
Në fund të fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku ka thënë se është urgjente vendi ynë të aplikojnë për anëtarësim në NATO.
“Le të nisim një fushatë diplomatike, lobusese e insistuese në çdo qendër të Evropës për të siguruar fillimisht njohjen nga pesë vendet e mbetura e më pas për të siguruar në formë të përshpejtuar në NATO. Ta dorëzojmë kërkesën për anëtarësim sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.