
Abdixhiku: Këtu përfundojnë takimet me LV-në, me Osmanin takohemi pas formimit të qeverisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pasi ka përfunduar takimin me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, ka folur për medie.
Ai ka treguar se në këtë takim me Kurtin e Osmanin kanë biseduar për formimin e institucioneve të reja.
“Ne sot përfunduam takimin e parë me përfaqësuesin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, diskutuam për formimin e institucioneve. Kemi përfunduar takimet me LV-në sepse pozicionet tona janë të qarta. LV-ja është në pozitë, ne në opozitë do të jemi opozitë aktive dhe alternative e re. Këtu përfundojmë takimin. Jemi dakorduar që pas formimit të qeverisë të takohemi me pretendenten për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj karshi LDK-së dhe LV-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka njoftuar se të shtunën do të formohet Kryesia e re e LDK-së dhe do të shpalosen detajet e takimit me Kurtin e Osmanin.