Abdixhiku: Kosova nuk ka qeveri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti sa i përket grevës në arsim.
Ai ka thënë se ka një hall të madh të ushqesh këtë krizë të grevës.
Abdixhiku ka theksuar se për LDK-në përgjegjës i vetëm është kryeministri Kurti.
Sipas tij, kryeministrit i takon të dialogojë, flasë e dëgjojë edhe me ata që s’pajtohet. “Të dhënat në vend tregojnë se 40 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën gjatë qeverisjes së tij të parë e 60 mijë në mandatin e dytë. Kosova nuk ka qeveri. Në vend të gjetjes së zgjidhjes ne dëgjojmë narracione e konspiracion të qeverisë. Kjo është gjuhë e paaftësisë”, ka thënë ai.
Lideri i LDK-së ka thënë se Kurti duhet të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë, armiqve të padukshëm e rrëzimit të qeverisë.
“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e qeverisë janë te ti në kabinet”, ka thënë ai.