Abdixhiku kujton Fehmi Aganin: Vazhdon të jetë inspirim për rrugëtimin tonë politik

06 maj 2022 | 11:17

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar ish-nënkryetarin shumëvjeçar të kësaj partie, Fehmi Agani, i cili është vrarë nga forcat serbe në vitin 1999.

Ai ka thënë se vrasja e Aganit nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes politike për liri e pavarësi.

“Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vetë Kosovës. Si e tillë, ajo u shndërrua shenjë e pafuqisë së aparatit represiv serb ndaj idesë sonë kolektive për liri e pavarësi”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.

Abdixhiku ka thënë se Fehmi Agani ishte ndër figurat kryesore në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shtuar se ai shërbeu si nënkryetar i saj e si dorë e djathtë e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Kryetari i LDK-së, duke e cilësuar si të urtin e rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi, ka thënë se jeta e tij, veprimtaria e tij politike është pasuri kombëtare. Më tutje, Abdixhiku ka treguar edhe pak biografi të Aganit.

“Ai u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën: ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i angazhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën ‘Rilindja’. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakul­tetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte krye­redaktor i revistave ‘Studia Humanistica’ dhe ‘Thema’. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patriotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se Agani edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë inspirim për rrugëtimin e tij politik drejt të ardhmes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 25 maj zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, finalja e…