Abdixhiku: Kurti dështoi të kapërcej veten
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij në raport me sindikatat, duke thënë se komunikimi në distancë me mësimdhënësit tanë në këtë krizë është veçse ofendim.
“Të dialogosh do të thotë të bashkëbisedosh. Të dëgjosh tjetrin e të dëgjojë tjetri. Komunikimi në distancë me mësimdhënësit tanë në këtë krizë është veçse ofendim. Nga gabimi në gabim! Kosova ka nevojë për urtësi, jo për ofendim e kaq polarizim depresiv. Nuk ka luftë të mësimdhënësve e komunave ndaj shtetit. Që të dy, komunat e mësimdhënësit janë vet shteti”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. “Refuzoj dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë – njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura”, ka thënë lideri i LDK-së.
Ai ka shtuar se Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë.
“Për fillim, pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit tanë pa arrogancë e pa hezitim”, ka thënë Abdixhiku.