Abdixhiku: Kurti dhe Osmani kanë kontradikta për draftin e Asociacionit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ku është thirrur të raportojë për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka vendosur t’i flasë masave të veta.
“Ndoshta e kuptoj, por s’e mirëkuptoj. Bëhet fjalë për jetë të humbura për një kauzë që është shuar nga ai. Përtej kësaj ironie, e kam të vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi: ‘Jam i gatshëm ta nënshkruaj qysh sonte, por s’e kam pranuar’”, ka thënë Abdixhiku.
Duke u ankuar për mostransparencë, Abdixhiku, ka thënë se nga deklaratat që kanë dhënë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti për draftin e Asociacionit që e kanë parë dokumentin ka kontradikta.
“Dhe meqë nuk mund të flasim për përmbajtjen, meqë nuk e kemi atë, do të duhet të flasim për procesin dhe të hamendësojmë. Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, kryeministri dhe presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese ose së paku kështu i kanë thënë atij – presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ndonëse janë dy javë pas, ndonëse, “në emrin e popullit të Kosovës, kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ”
“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se si LDK, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit, kanë kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument.