Abdixhiku: Kurti kërkon tension, ai s’mund të jetojë pa krizë
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për mosdhënien e pagave për muajin shtator për mësimdhenësit grevistë.
“Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël”, ka shkruar në “Facebook” Abdixhiku.
Ai ka theksuar se në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët.
“Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza. Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave”.
“Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
“Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, ka shkruar lideri i LDK-së.