Abdixhiku, Kurtit: 17 për qind e territorit pa polici e gjyqësor
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet për situatën në veri, ka kritikuar qeverinë Kurti lidhur me qasjen në dialog dhe qeverisjen e vendit.
Abdixhiku në interpelancën ndaj kryeministrit Kurti lidhur me situatën në vend, të thirrur nga deputetët e AAK-së, ai ka thënë se derisa flasin në Kuvend 17 për qind e territorit është pa polici, prokurorë, gjyqtarë e shërbime bazike komunale.
“Kur i dëgjon pozicionimet e qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel. Kryeministri foli për siguri e luftë ndaj krimit, ndërsa derisa flasim 17 për qind e territorit është pa polici, gjyqtarë e prokurorë. Një aksident rrugor nuk mund ta zgjidhin në veri, një dhunë në familje s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës”, ka deklaruar Abdixhiku.