Abdixhiku, Kurtit: Nëse i ke humbur dokumentet e dialogut, ke mundur t’i kërkosh sërish
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se më shumë ka mësuar për dialogun nga vizita në Bruksel sesa ka gjetur dokumente në Prishtinë.
Abdixhiku ka thënë Kurti është duke e lujatur viktimën, dhe një gjë e tillë sipas tij është e panevojshme.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka thënë se nëse Kurtit i kanë humbur dokumentet e dialogut, ka mundur t’i kërkojë ato.
“Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Kryeministër,
Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme, është dobësi.
Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim.
Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish.
Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.
Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je kryeministër. Udhëheq si i tillë.