Abdixhiku: LDK-ja angazhohet për marrëdhënie të mira me të dy partitë e mëdha amerikane
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se ka pranuar ftesë nga NDI-ja për të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve në Çikago, por që në vend të tij e ka dërguar Alush Gashi.
Ai ka thënë se Gashi do të qëndrojë për katër ditë atje, duke shtuar se LDK-ja angazhohet për marrëdhënie të mira me dy partitë amerikane.
“I nderuar me ftesën e NDI-së për pjesëmarrje në Konventën e Demokratëve në Çikago. Në këtë konventë kam deleguar profesorin e nderuar Alush Gashin, bashkëpunëtorin e ngushtë e anëtarin e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Profesor Gashi, do të qëndrojë për katër ditët e punimeve të Konventës. Aty pritet konfirmimi i kandidaturës për Presidente nga radhët e demokratëve, nënkryetares së tanishme Kamala Harris. LDK-ja angazhohet për marrëdhënie të mira me të dy partitë e mëdha amerikane, si faktor e kontributdhënës historik në kauzën tonë për liri, pavarësi e demokraci. Mbi të gjitha, me rrugëtimin e ngushtë me aleatët tanë identitar, ShBA-të, drejt realizimit të qëllimeve tona kombëtare!”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.