Abdixhiku: LDK-ja po rikthehet në diasporë
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me Ekipin Politik për Mërgatë, me Anton Qunin, Sokol Halitin, Armend Zemaj e Shkumbin Gashin, takuan bashkatdhetarët në Grenchen të Zvicrës – në shënim të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK në këtë qytet.
“Sot, takova njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe takova njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Takova burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kryetarit të Degës Ahmet Kosumi e anëtarëve të Kryesisë i urova për angazhimin në shtëpinë tonë të përbashkët”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit të LDK-së në diasporë.
“Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë. Takimi me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave është detyrim politik i lidhjes sonë”.
“Lidhja jonë në mërgatë është lidhje e vlerave, e ideve, e kontributit kombëtar – është besëlidhje për një Kosovë që e duam të gjithë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi”, ka deklaruar Abdixhiku.