Abdixhiku: LDK-ja pritet t’i shtojë 80 mijë vota, marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim

12 shkurt 2025 | 20:15

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër ka reaguar pas publikimit të rezultateve të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Në një deklaratë në Facebook, ai theksoi se kishte dashur të priste përfundimin e numërimit të të gjitha votave para se të komentonte mbi rezultatet, por sipas tij, klima aktuale politike e ka bërë të vështirë një proces të tillë normal.

Ai kritikoi KQZ-në për mënyrën e numërimit, duke kërkuar kthimin në metodat klasike, ndërsa shprehu optimizëm për rezultatin e LDK-së.

“LDK do të arrijë rreth 180 mijë vota dhe një përqindje prej afërsisht 20%, një rritje e ndjeshme nga rënia historike. Ky është një rikthim në bazë dhe në numrat tanë historikë,” u shpreh ai.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur mbështetës,

Vërtetë doja të prisja numërimin e rezultateve – edhe plot 100 mijë votave të tjera – para se të nisnim diskutimin paszgjedhor; por në gjithë helmim e vrerin politik të tanishëm edhe pritja e një gjëje bazike duket e pamundur.

Përveç kësaj, kemi dhe një KQZ që as edhe një gjë bazike për të cilën kishte kohë plot 4 vjet të përgatitet – si numërimi i votave – nuk arrinë ta bëjë. Kthehuni në metodë klasike aman! Numërim është ky!

Tani, sa i përket rezultatit.

Po, LDK do t’i ketë në fund plot 180 mijë vota.
Po, LDK do ta arrijë rreth 20%.
Po, ky është rezultat i mirë pas rënies historike.

Kokën lartë secili!
E rëndësishme që kemi rigjetur njëri tjetrin, jemi kthyer në bazë. E rëndësishme që kemi rikthyer veten në numrat tanë historik. Kjo është baza jonë!

LDK nuk i ka fituar zgjedhjet, do të donim këtë në veçanti ne, këtë e dijmë, por LDK pritet ti shtojë plot 80 mijë vota; e kapërcimi prej 12 në 20% do të vërtetohet si arritje e jashtëzakonshme. Prisni pak ditë. Ne nuk e kemi nisur garën as me 50% as me 20%. Ishim vetëm 12%! Sot, mbështetemi në qytetarinë që na jep edhe qetësi edhe shtytje për rrugëtimin e ri!

Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.

Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!

Gjithsesi, për të gjitha këto do të vendosim si një!
LDK është shtëpi e demokracisë!

Le të presim numërimet!
Le të ecim drejtë e siç dijmë ne!
Dritë do të ketë sërish!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambienetet e Fakulteteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës, është…